Wednesday, April 30, 2014

Bushati: Ne Europe ekzistojne zona me potencial te larte destabilizues

Në kuadër të vizitës që po zhvillon në Uashington,  ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, mbajti një fjalë në Konferencën e Këshillit të Atlantikut, një nga organizmat me kontribut të veçantë ndërkombëtar në farkëtimin e dimensionit transatlantik të politikës  së jashtme dhe të sigurisë  të SHBA-së dhe aleatëve të NATO-s.
Në këtë aktivitet, ku morën pjesë Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, si dhe ministra të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes nga vendet e anëtarësuara në NATO gjatë dekadës së fundit, dominuan shqetësimet në lidhje me situatën e paqëndrueshme në Ukrainë si dhe sfidat që kjo situatë paraqet për të ardhmen e komunitetit euro-atlantik.
 
Në fjalën e tij Bushati theksoi se, “në kontinentin evropian vijojnë të ekzistojnë zona me potencial të lartë destabilizues, të cilat kur shoqërohen me agjenda zgjerimi rivale, krijojnë kushtet ku e drejta ndërkombëtare dhe parimet themelore demokratike mund të shkelen pa u ndëshkuar”.  
Gjithashtu ai u shpreh se as Evropa dhe as NATO nuk duhet të injorojnë sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor, për sa kohë i gjithë rajoni nuk është ende plotësisht i ankoruar në rrjedhat euro-atlantike.
Gjatë vizitës në Uashington, Bushati zhvilloi takime me kongresmenët Robert Aderholt dhe Eliot Engel. Kreu i diplomacisë shqiptare i informoi kongresmenët me zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe situatën në rajon.
“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të një rëndësisë parësore dhe strategjike për vendin tonë”, theksoi Bushati. 

Ai shprehu angazhimin e Qeverisë shqiptare për të qenë partner i vendosur përkrah SHBA-së, në drejtim të zhvillimeve demokratike, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, të konsolidimit të ekonomisë së tregut, të luftës kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. 

Kongresmenët amerikanë Aderholt dhe Engel vlerësuan progresin e Shqipërisë, reformat për forcimin e shtetit ligjor, sundimin e së drejtës në ekonomi dhe avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ata veçuan rolin e Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si faktor paqeje në rajon. 

Përfaqësuesit amerikanë rikonfirmuan vijimin e mbështetjes për Shqipërinë, në të gjitha proceset demokratizuese dhe integruese. Bashkëbiseduesit u ndalën në projektet e bashkëpunimit rajonal, ku veçuan rëndësinë e gazsjellësve TAP dhe IAP, si mundësi reale për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe rajonit. 

Ministri Bushati shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për angazhimin e tyre ndër vite në forcimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh. 

No comments:

Post a Comment