TIRANË, 28 Prill/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka theksuar të hënën, se një nga sfidat kryesore që duhet të ndërmarrë qeveria është orientimi i drejtë i shërbimeve të inteligjencës.
Deklarata e Kodhelit u bë sot, gjatë çeljes së punimeve të seminarit me temë “Inteligjenca dhe Demokracia”, që po zhvillohet në Ministrinë e Mbrojtjes
Në hapjen e këtij seminari ishin të pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika dhe përfaqësues të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes.

Në fjalën e hapjes, Ministria e Mbrojtjes Mimi Kodheli tha se mbledhja, përpunimi dhe shpërndarja e informacionit në përputhje me nevojat e qeverisë, është një mjet shumë i rëndësishëm, jo vetëm sa i takon sigurimit të informacionit adekuat dhe të saktë, por edhe analizës së shëndoshë dhe të besueshme.
Sipas Kodhelit, “kur flasim për “shërbime të inteligjencës” ne menjëherë na shkon mendja tek “sekreti”. Kështu që sfida kryesore që shfaqet, apo që kërkon zgjidhje, është si t’i orientojmë që shërbimet apo organizmat që merren më inteligjencën të respektojnë sistemin demokratik”.
Ndërsa ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu gjatë fjalës së tij theksoi se roli i shërbimeve inteligjente dhe mbikëqyrja parlamentare janë një çështje mjaft delikate. Sipas Arvizus kurrsesi nuk duhet lejuar që informacione të klasifikuara të dalin në publik.
Seminari “Inteligjenca dhe Demokracia” i organizuar nga Zyra e Bashkëpunimit Ushtarak (ODC) pranë Ministrisë së Mbrojtjes përfundon më 2 maj 2014.

Pjesëmarrës në këtë seminar janë edhe Profesor James J. Wirtz, Dekan i Fakultetit të Studimeve Ndërkombëtare dhe njëkohësisht Profesor në Departamentin e Çështjeve të Sigurisë Kombëtare, Scott Jasper, lektor në Shkollën Pasuniversitare të Detarisë, në Qendrën për Marrëdhënie Civile-Ushtarake, si dhe në Departamentin e Çështjeve të Sigurisë Kombëtare dhe të Florina Cristina (Kris) Matei, lektorë me një eksperiencë të gjatë në fushën e inteligjencës, demokracisë dhe marrëdhënieve civile-ushtarake./a.g/
No comments:
Post a Comment