Wednesday, July 17, 2013

Nje qeveri perfaqësuese është garanci për një qeveri të suksesshme.

 -Nga Gjergj Zefi-

“A mund ta paramendosh mediokrin si ministër? Para se të vijë në atë pozitë, ai është plotë me brenga për të arritur aty, e pasi që e merr, është plotë me brenga për të mos e humbur, e nëse fillon të brengoset për të mos e humbur, atëherë nuk ka asgjë që ai nuk do të jetë në gjendje të bëj për ta ruajtur atë pozitë.” Keto fjale që filozofi i madh kinez Konfuci i ka thënë 2500 vjet më parë ngjajnë në fakt sikur janë thënë tani. Megjithëse të gjitha indiciet që më vinë nga kuzhina ku po gatuhet politika qeverisese e vjeshtes e ne vazhdim nuk me japin asnje aresye per t’u shqetësuar , prapëseprapë nuk po mund të rri pa e ndarë me lexuesin, shqetësimin tim të vazhdueshëm se “që një qeveri të jetë e suksesshme , ajo së paku duhet të jetë përfaqsuese”. Kjo ndofta ndodh ngaqë “na ka djegë qulli, e i fryjmë kosit”. E them këtë pasi sipas gjykimit tim , një ndër mëkatët më të medha të qeverisë në ikje e sipër ishte edhe mos qënia e saj përfaqësuese. Kabineti i dështuar i Qeverisë , thuajse nuk përfaqësonte asgjë nga substanca politike shqiptare. Dhe kur them perfaqësim , nuk është fjala thjesht për përfaqësimet krahinore , fetare apo te minoriteteve etnike ,ç’ka për të cilat rëndom mund t’iu shkojë mendja të gjithëve . Jo se ky përfaqsim nuk është i rëndësishëm , është edhe  shumë madje  ,(të gjithëve na ka shqetësuar që dialekti më i përdorur në zyrat e shtetit ishte dialekti i nje qarku periferik të vogël verilindor) ,por nuk është gjithçka. Të jesh i përfaqësuar nuk është thjesht të kesh një ministër a një zyrtar të lartë nga fshati yt , jo, të jesh i përfaqësuar do të thotë pikësëpari që përfaqësuesi të ndajë me ju interesa të njëjta , të ketë qëllime dhe vizione universale të përafërta me të përfaqësuarit. Ja për shembull , përsonalisht , shtëpia ku une kam lindur nuk është më shumë se treqind metra larg nga shtëpia ku ka lindur Kryetarja e tanishme e parlamentit , por personalisht do të ndihesha më i përfaqësuar sikur në krye të parlamentit të ishte çdo qytetar tjeter i çfaredo skaji te vendit , mjafton që të mendonte pozitivisht , pa mllef, urrejtje, i pa frustruar dhe të kishte një minimum dashurie për vendin. I njëjti koncept vlen edhe për të gjithë funksionaret e tjerë , ministrat e zyrtarët e lartë . Kështu, nuk është edhe aq e rëndësishme se nga cili katund i Shqipërisë vjen Ministri i Kulturës(jo ky i tanishmi) ,por ne rastin kur ai nuk e di ende se eshtrat e Ismail Qemalit jane varrosur ne Vlore, kur etnitetet e kultures shqiptare po varrosen nga dita ne dite, nuk na perfaqëson; kur ministri i punës dhe i çështjeve sociale nuk e di se sa eshte minimumi jetik , nuk na përfaqëson; kur ministri i transporteve nuk e di se ç’fare është kapitali , nuk e di cili është problemi që kanë kompanitë ndërtuese , nuk e di se që rrugët të ndërtohen duhen para , që nuk di se paratë përveç se për kazino duhen edhe për pagesa të tjera , ai nuk përfaqëson asgje përveç shpurës së tij të kumarxhinjve; kur ministri i Mbrendshëm nuk flet mirë shqip , kur ai e di se rendi ruhet me bashkefshatare militante të partisë , ai nuk përfaqëson asgjë , perveç dorëzimit përkundrejt krimit ; kur ministri i drejtësisë bën pakte me kriminelët , i premton lirim nga burgu në këmbim të një grushti votash , ai nuk përfaqëson asgje , as fëmijët e tij; e kështu me rradhë për të gjithë anëtarët e kabinetit e duke përfunduar me kreun e qeverisë që përfaqsonte interesat më të zeza të antishqiptarëve , të Fazlliçëve ,Spasiçëve , Bullatoviçëve e të viçëve të tjerë .

Ky është koncepti  im për përfaqësimin , pa të cilin mendoj se qeveria dhe qeverisja nuk mund të funksionojë , pa të cilin mendoj se nuk mund të ketë sukses në ndërtimin e shtetit. Qeveria e re, për të garantuar suksesin lipset të jetë përfaqësuese e interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.