Wednesday, May 15, 2013

Zgjedhjet, vëzhguesit e ODIHR takohen me ministrin Bumçi



Delegacioni i Vëzhguesve afatgjatë të ODIHR-it nisi sot në Tiranë takimet me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Rreth orës 10:00 ata mbërritën në Ministrinë e Jashtme ku po zhvillojnë një takim me ministrin Aldo Bumçi. 

Mësohet se më pas ata do të priten edhe nga kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi. Në përfundim të takimeve vëzhguesit e ODIHR-it kanë paralajmëruar edhe një konferencë për shtyp, që pritet të zhvillohet rreth orës 15:00. 

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-t dhe të Asamblesë Parlamentare (AP) të OSBE-së, mbërritën të hënën në Tiranë, për të ndjekur nga afër zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Në krye të misionit është amerikania Conny McCormack, e cila ka qënë pjesë e ekipeve vëzhguese në zgjedhjet në Armeni, Meksikë, Rusi, Jemen, Indonezi e Nigeri. 

Ekipi i ODIHR-it përbëhet nga 15 ekspertë të cilët vijnë nga 14 shtete anëtare të OSBE-së, me seli në Tiranë, si dhe 30 vëzhgues afatgjatë, të shpërndarë në të gjitha rajonet. Ashtu si edhe në vitin 2009, Asambleja Parlamentare e OSBE-së, e kryesuar aktualisht nga austriaku Volfgang Grossruck, aktivizoi sërish marrëveshjen me ODIHR-in për një mision të përbashkët monitorimi. 

Ekipi i Asamblesë Parlamentare do të drejtohet nga përfaqësuesi i saj special për Europën Juglindore, Roberto Battelli, deputet slloven. Z.Battelli ka një eksperiencë të gjerë në vëzhgimin e zgjedhjeve, ndërsa ka marrë pjesë në 19 misione monitorimi në shtete të ndryshme anëtare të OSBE-së. Ai ka qenë dhe koordinator i vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së në zgjedhjet në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. 

ODIHR ka kërkuar nga vendet anëtare të OSBE-së që të dërgojnë në Shqipëri 430 vëzhgues, por ende nuk është përcaktuar numri i saktë i atyre që do të përfshihen.

No comments:

Post a Comment