Friday, May 24, 2013

Sondazhi Piepoli: E Majta, 50.5%, e djathta, 42%



Instituti italian Piepoli në bashkëpunim me Vizion Plus ka publikuar të dhënat e sondazhit të dytë, dy javë pas publikimit të sondazhit të parë. Koalicioni i majtë udhëheq dhe në këtë sondazh, duke marrë 50.5 përqind të votave të atyre që do votonin sot. Kurse koalicioni i djathtë ka 42 përqind. Partia Socialiste ka 42.5 përqind të votave, kurse Partia Demokratike ka 37.5 përqind. Lëvizja Socialiste për Integrim ka 5 përqind të votave. Po kaq ka edhe Fryma e Re Demokratike. Kurse Aleanca Kuq e Zi ka vetëm 2.5 përqind të votave. Sa i përket qarkut të Tiranës, koalicioni i majtë është plot 12 pikë përpara, duke udhëhequr me 52 përqind. Koalicioni djathtë merr 40 përqind të votave.
Bie në sy se Fryma e Re Demokratike merr 6 përqind të votave në qarkun e Tiranës, kurse Aleanca Kuq e Zi vetëm 2 përqind. Në total në Tiranë, PS merr 47 përqind të votave kurse LSI merr 4 përqind. Në koalicionin e djathtë, PD merr 37 përqind të votave kurse 3 përqind shkojnë për partitë e tjera. Sondazhi është realizuar përmes 1000 intervistave telefonike ne te gjithë territorin shqiptar. Në këtë material shtrohen pyetje të situatës social-ekonomike, nga papunësia, kosto e jetesës, korrupsioni, kriminaliteti, paqëndrueshmëria politike apo gjendja e infrastrukturës. Në këtë fazë të dytë të studimit jepen edhe të dhëna me përqindje për popullaritetin e figurave kryesore politike, Rama, Berisha apo Topi. Pyetjes se cili është problemi më shqetësues në Shqipëri, të anketuarit i janë përgjigjur: papunësia 48%, kosto e jetesës 13.3%, korrupsioni 7.5%, shëndetësia 4.7%, kriminaliteti 3.8%, paqëndrueshmëria politike 2.7%, mungesa e infrastrukturës së duhur si p.sh rrugët 2.6%, transparenca në administratën publike 2%, mungesa e shërbimeve 1.2%. Përsa i përket pyetjes se te cili lider politik kanë më shumë besim, 51% e të anketuarve kanë zgjedhur liderin e opozitës Edi Rama, 45% kryeministrin Sali Berisha, 43% kreun e FRD-së Bamir Topi. Një nga çështjet thelbësore sipas opinionit të shqiptarëve është anëtarësimi në Bashkimin Europian. 91.8% e tyre mendojnë se nëse Shqipëria bëhet pjesë e familjes evropiane, do të përfitojnë garanci për shërbime shëndetësore, 91.2% mendojnë se do të kenë shërbime më të mira në kopshte dhe shkolla, 89% besojnë në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, 85.3% besojnë për punësime dhe pagesa bazuar mbi sistemin e meritokracisë.
Sipas sondazhit, 11% e të anketuarve janë të pavendosur se për kë do të votojnë në 23 qershor, ndërsa 89% e kanë vendosur tashmë.
37.5% e të anketuarve përgjigjen se do të votojnë Partine Demokratike, 42.5% Partine Socialiste, 5% LSI, FRD 5% dhe AK 2.5%. Ndërsa për koalicionet 42% përgjigjen se do të votojnë për Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim dhe 50.5% për Aleancën për Shqipërinë Europiane. Nëse shqiptarët do të votonin sot, 81% e tyre pohojnë se do të shkonin në kutitë e votimit, me siguri po 73%, sigurisht jo 16%, ndoshta jo 3%, ndoshta po 8%.
Në krahasim me sondazhin e muajit prill, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste rriten me 2.5%, ndërsa në total në koalicione e djathta është rritur me 2%, dhe e majta me 1.5%. Mbështetja për FRD ka rënë me 0.5%, për AK me 3%.
Në qarkun e Tiranës 13% e të anketuarve nuk mendojnë të votojnë, ndërsa 87% mendojnë të shkojnë drejt kutive të votimit. Nga këta 15% janë të pavendosur për votën e tyre dhe 85% janë të vendosur.

No comments:

Post a Comment