Rusmali: Dje dita e krenarisë për deputetët e Ligjeve. Amnistia ishte për fushatë.
Deputeti i PD, interviste per “Panorama”: Amnistia ishte për fushatë. “Komisioni i Ligjeve mbeti jashtë listave, por kontributi për aktet ishte vendimtar”.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, shpjegon arsyen e prezencës së tij në seancën e djeshme parlamentare. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai thotë se dje ishte dita e krenarisë së deputetëve të këtij Komisioni, që miratuan tri ligjet e BE-së. “Shumica e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve nuk janë në listën e kandidatëve të partive respektive, dhe ky është një fakt që nuk mund të mohohet, por kjo nuk ua zbeh meritën dhe nuk i bën ata që të jenë kokulur. Krenarë për arritjen e sotme”, shprehet Rusmali.
Që nga nisja e fushatës ju keni bojkotuar aktivitetet politike. Sot bashkë me një grup deputetësh të Komisionit të Ligjeve, ishit të parët që erdhët në Parlament. Si shpjegohet kjo?
Të falënderoj për pyetjen dhe interesimin, por preferoj të flas vetëm për seancën parlamentare, sepse çështjet e fushatës janë çështje që i përkasin fushatës dhe nuk duhet të përzihen këtu. Parlamenti u mblodh në seancë të jashtëzakonshme, gjë që si rregull ndodh shumë rrallë. Por, tri ligjet e justifikojnë seancën e jashtëzakonshme. Asgjë tjetër veç tri ligjeve. Ndoshta për shkak se politika i solli punët kështu, apo ndoshta për shkak se sot kemi nevojë ta ndiejmë Europën më pranë se kurrë… Gjithsesi, seanca e djeshme ishte shumë e rëndësishme. Pse jo, seanca më e rëndësishme e gjithë legjislaturës që mbyllëm. Nga ana tjetër duhet vënë në dukje se posaçërisht për këtë seancë është punuar shumë, është harxhuar shumë energji, kohë, debat, propagandë, ekspertizë, kundërshti, pezulli, tymnajë, jo vetëm mes vetes, por deri në Bruksel.
Kjo është arsyeja që ju ishit dje të pranishëm në seancë?
Në një seancë të tillë është obligim madhor për çdo deputet që të jetë prezent dhe të ndikojë aktivisht në përfundimin me sukses të saj. Por unë sot kam një motiv më shumë për të qenë prezent e për të votuar, motiv që e ndaj me kënaqësi me të gjithë kolegët e mi, anëtarë të Komisionit të Ligjeve, sepse sot (dje) është dita e krenarisë së tyre. Komisioni i Ligjeve ka qenë i përfshirë ekskluzivisht në trajtimin e projektligjit për Gjykatën e Lartë dhe të projektligjit për nëpunësit civilë, në çdo hap të shqyrtimit parlamentar, sikurse ka pasur privilegjin që edhe në çështjen e Rregullores, e cila nuk është çështje e komisioneve parlamentare, të ketë qenë i përfaqësuar nga sekretari i Komisionit, Viktor Gumi. Është ai që i ka shkruar amendamentet e Rregullores. Kjo do të thotë se kontributi i Komisionit të Ligjeve në tri ligjet është vendimtar. Ne kemi negociuar, kemi debatuar, kemi gjetur kompromiset, ne i kemi miratuar ato. Jo sot, por prej shumë kohësh; jo lehtësisht, por me shumë vështirësi; jo me qëndrim arrogant dhe me intrasigjencë, por me shpirt vetëmohues kompromisi.
Megjithatë, pavarësisht këtyre vlerësimeve që ju i jepni Komisionit, shumica e deputetëve të tij nuk janë më në listat e kandidatëve për deputetë të PD. Si e shpjegoni?
Sot Komisioni i Ligjeve ka mundësinë të jetë krenar dhe të jetë aktiv në debatin parlamentar, sepse sot merr jetë produkti i punës së vet. Është një gjë që duhet evidentuar, është një gjë që meriton mirënjohje. Shumica e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve nuk janë në listën e kandidatëve të partive respektive, dhe ky është një fakt që nuk mund të mohohet, por kjo nuk ua zbeh meritën dhe nuk i bën ata që të jenë kokulur. Krenarë për arritjen e sotme. Tri ligjet janë një ditë e mirë për shqiptarët, dhe ne jemi pjesë e kësaj dite të mirë.
No comments:
Post a Comment