Opinion
Malo morgen
Blerina Rogova-Gaxha
Kur njerëzit e ndiejnë dhimbjen e vet, kjo është dëshmi se ata janë gjallë, por kur e ndiejnë dhimbjen e tjetrit, kjo është dëshmi se ata janë njerëz. Për fatin e keq të popujve të Ballkanit, secili prej tyre dhe nëpër breza, e kanë ndjerë vetëm dhimbjen e vet dhe kështu është akoma.
Toleranca është vlerë njerëzore dhe derisa është kështu, s’ka se si të mos flitet për të, por në rastin e Kosovës, të rajonit ose të Ballkanit, për këtë temë më mirë të flitet “pak si nesër”!
Paska filluar java e tolerancës në Kosovë, dhe kjo gjë është kuptuar nga një njoftim i Ministrisë së Jashtme, të publikuar në portalin e saj. Java e tolerancës në vendin i cili ka kohë që më shumë flet për hipokrizinë se sa për tolerancën. Tolerancë fetare, politike, kulturore, etnike, rajonale e përtej kësaj tolerancë njerëzore.
Po u mbledhkan mbi 300 veta përfaqësues të mbi 50 vendeve për të folur për tolerancën, në vendin i cili pikërisht për shkak të jotolerancës ka vuajtur më shumë se sa çdo vend tjetër i kontinentit të vjetër. Shumë domethënëse pse një “Javë e tolerancës dhe e pajtimit” i zhvillon punimet në Prishtinë. Aq më shumë që kjo javë nuk do ta shënojë vetëm tolerancën në Kosovë, por edhe në rajon, në Ballkan, Evropë ose edhe më gjerë. Po e thonë me theks të posaçëm për tolerancën fetare.
Por a është e mundur që të flitet për tolerancën në Kosovë ose në Ballkan, kur ka më shumë se 500 vjet që popujt e Ballkanit më shumë janë urryer se sa që janë dashur. A është e mundur të flitet për tolerancën, kur grekët nuk i njohin maqedonasit, kur serbët nuk i pranojnë shqiptarët, kur shqiptarët i urrejnë edhe të parët edhe të dytët.
Si mund t’i qasen kësaj teme 300 përfaqësues të botës, kur në bazën e shkencës së disa popujve, akoma ka strategji antifetare, antikombëtare dhe antinjerëzore ndaj të tjerëve. Si mund të flitet për tolerancën fetare për shembull, kur në gjenin e popujve të Ballkanit akoma ka elementë që shkatërrojnë objekte kulti e besimi e deri te varret e njëri-tjetrit.
Është folur shumë se shqiptarët kanë qenë ndër popujt më tolerantë, sepse i kanë çmuar besimet e njëri-tjetrit, por asnjëherë nuk është thënë se përtej tolerancës, ata ishin homogjenë sepse është dashur ta mbrojnë qenien e tyre, përballë sulmeve shfarosëse të popujve përreth.
Po aq sa është i vjetër njerëzimi, thuhet të jetë e vjetër edhe thënja se “të gabosh është njerëzore, por të falësh është hyjnore”. Prandaj si është e mundur të flitet për tolerancën në rajonin e Ballkanit për shembull, kur të gjithë kemi gabur, dhe secili prej nesh jemi larg hyjnores. Si është e mundur të pajtohemi, kur askush prej nesh nuk ka falur!!!
Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme paska thëne se “Shumica e njerëzve anembanë botës dinë për luftën e Kosovës. Por ata nuk e dinë se komunitetet fetare kanë jetuar këtu së bashku në paqe për shumë breza me radhë…” Nuk ka asnjë dyshim, se kjo është gjysmë e vërtetë, dhe ndonjëherë gjysmë e vërteta është gënjeshtra më e madhe.
Shqiptarët ndër breza janë prerë e janë varrosur të gjallë për shkak të besimit të tyre. Ndër breza janë ndërruar edhe identitetet e popujve, pikërisht për shkak të besimit. Ka me qindra xhami, por edhe kisha e teqe, që janë rrafshuar për të humbur gjurmë të identitetit dhe të besimit.
Kur njerezit e ndiejnë dhimbën e vet, kjo është dëshmi se ata janë gjallë, por kur e ndiejnë dhimbën e tjetrit, kjo është dëshmi se ata janë njerëz. Për fatin e keq të popujve të Ballkanit, secili prej tyre dhe nëpër breza, e ka ndier vetëm dhimbjen e vet dhe kështu është akoma.
Sigurisht se toleranca është vlerë njerëzore dhe derisa është kështu, s’ka se si të mos flitet e debatohet për të. Por në rastin e Kosovës, të rajonit ose të Ballkanit, përpara se të flitet për tolerancën, duhet të flitet për faljen dhe pajtimin. Asnjëri nga popujt e Ballkanit nuk ka falur akoma dhe sipas kësaj logjike, ata ende nuk i kanë spastruar hesapet, për të kaluar në një fazë tjetër që do të ishte faza e tolerancës.
Popujt e ish-jugosllavisë janë gënjyer për pothuaj 50 vjet se si janë përcaktuar për bashkim-vëllazërimin, por çmimi i kësaj gënjeshtre qe shumë i lartë për secilin prej tyre. Është e mundur që edhe tash pas 70 vjetësh të bëhet i njejti gabim, të fillojmë të flasim për tolerancën, e cila tash për tash nuk ekziston as si emër kuptimi. Është vështirë e besueshme se në javën e tolerancës dhe të pajtimit që po mbahet në Kosovë, të flitet për tolerancën franko-gjermane, sepse kjo nuk do të kishte kuptim. Për tolerancën ballkanike, “malo morgen”!
No comments:
Post a Comment