Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i është drejtuar me një letër Prokurorit të Pergjithshëm, Adriatik Llalla, ku i shpreh shqetesimin për ecurine ligjore të rasteve korruptive të denoncuara nga ky institucion. Sipas Ministrisë së Financave, Ministria dhe institucionet në varësi të saj, të angazhuara në luftën kundër korrupsionit, si një nga prioritetet themelore të Qeverisë për forcimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e interesave të taksapaguesve shqiptarë, kanë paraqitur në organet e prokurorisë 192 kallëzime penale për 569 autorë, të cilat i referohen veprave penale në fushën e shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe fshehjes së detyrimeve tatimore, kontrabandës, ushtrimit të veprimtarive të pa ligjshme në fushën e lojërave të fatit si dhe ato në fushën e pastrimit të parave. Ministria e Financave dhe njësitë në varësi të saj janë informuar nga organet e prokurorisë vetëm për 10 raste nga 192 gjithsej, ndër të cilat, përkatësisht, për 1 rast është njoftuar vendimi për mosfillim hetimi, për 2 raste është njoftuar pushimi i çështjes, si dhe 7 janë deleguar.
Nga 192 kallëzime gjithsej, 65 prej tyre i takojnë kallëzimeve të paraqitura gjatë 3 mujorit të fundit të vitit 2013.

No comments:
Post a Comment