Monday, March 31, 2014

Dokument: Kur ushtarët e FARK'ut të Bujar Bukoshit i dorëzonin armët tek serbët dhe ia mbathnin.

Gazeta “Epoka e re” për herë të parë publikon fakte për numrin dhe llojin e armëve të dorëzuara tek forcat serbe nga oficerët me pagë mujore të Qeverisë Bukoshi në rajonin e Deçanit gjatë luftës çlirimtare në Kosovë.

Add caption
Miratimi në lexim të parë i Projektligjit për Veteranët e UÇK-së nga Kuvendi i Kosovës ka ngjallur përsëri debat rreth formacionit ushtarak të formuar nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Kosovës në ekzil pas dështimit për ta futur nën kontroll UÇK-në. Në këtë projektligj nuk figuron askund asnjë formacion tjetër ushtarak, por tashmë dihet se po sipas këtij ligji asnjë ushtar që ka luftuar nën emblemën e UÇK-së nuk do të mbetet i anashkaluar.
Për ta argumentuar domosdonë e përfshirjes së formacionit ushtarak të formuar nga Qeveria Bukoshi në Ligjin për Veteranët e UÇK-së, LDK-ja vazhdon të thirret në Marrëveshjen e Oslos, e cila, sipas saj, ishte bërë për ta vënë UÇK-në nën kontroll. Por, ekzistenca e një marrëveshjeje të tillë, e arritur me Ahmet Krasniqin, është hedhur kategorikisht poshtë nga përfaqësuesit e UÇK-së. “Mbledhja e Oslos ekziston. Mbledhja e Oslos është mbajtur me qëllim për ta ndihmuar UÇK-në dhe Qeveria e Bukoshit me dhanë pare dhe bashkërisht me u ndihmu kryengritja e cila është zhvilluar në Kosovë nën udhëheqjen e UÇK-së”, ka deklaruar këto ditë Adem Demaçi, njëri nga përfaqësuesit e UÇK-së, pjesëmarrës në takimin e mbajtur në Oslo. Por çfarë bënë në të vërtetë oficerët e paguar me pagë mujore nga Qeveria e Bujar Bukoshit ?
Në kohën kur ushtarët e UÇK-së po rezistonin në përballje me forcat serbe gjithandej Kosovës, disa ushtarë, nën komandën e disa oficerëve të Qeverisë së Bujar Bukoshi, ua kishin dorëzuar mijëra armë, nga më të ndryshmet, policisë dhe ushtrisë serbe në rajonin e Deçanit, konkretisht në Isniç, më pas ishin larguar nga Kosova, duke lënë nën mëshirën e fatit qindra ushtarë të UÇK-së të plagosur.
Për këtë ngjarje të pazakontë që ndodhi gjatë luftës tashmë kanë folur edhe ushtarë e politikanë të ndryshëm. Së fundi ka folur edhe Adem Demaçi. “Kur i dështoi mundësia Bukoshit me shti nën kontroll UÇK-në me anë të parave - unë jap para, ju luftoni dhe unë vij e bëhem çlirimtar - atëherë u kthyen dhe u kapën me Tahir Zemajn, oficerin e KOS-it të Serbisë dhe u munduan të formojnë njëfarë 'Farku' , i cili dihet se si përfundoi. Erdhën me luftu e ikën duke i lënë 600 e kusur të plagosur në fushëbetejë dhe i lanë me mijëra armë nëpër fusha”, pati deklaruar para disa ditësh Demaçi.
Lënia e këtyre armëve nëpër fusha si dhe dorëzimi masiv i tyre tek forcat serbe, ky është fokusi i dosjes së siguruar, i mbështetur mbi argumentin e procesverbaleve dhe listave të këtyre armëve të dorëzuara. “Sot 29.09.1998 është kryer pranimdorëzimi i këtyre armëve, municionit dhe lëndëve të tjera shpërthyese, të gjetura nga ana e punëtorëve të SPB-së dhe të dorëzuara nga ana e qytetarëve të fshatrave me përkatësi shqiptare të cilët jetojnë në Komunën e Deçanit”, shkruan në një dosje të dokumenteve të Sigurimit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, Njësia e Punëve të Brendshme në Deçan. 
Kjo dosje përmban numrin e armëve dhe numrin serik të tyre të dorëzuara nga oficerët me pagë mujore të Qeverisë Bukoshi. Sipas kësaj dosje, janë hedhur dhe dorëzuar këto armë: pushkë automatike të prodhimit kinez, kalibri 7.62 mm, me numrin vijues, gjithsejtë 735 (mbyllet me numrin rendor 735) (armët nga faqja 2, 3, 4, 5), 222 copë pushkë automatike kineze me karikatorë, kalibri (i palexueshëm qartë), 419 pushkë gjysmautomatike të prodhimit kinez të kalibrit 7.62 mm, 23 copë pushkë të ndryshme (“M-48”, “Leninka”, “Taljanka”, “Karabina” të kalibrit 7.9 mm dhe të tjera, 7 automatikë rus “Ahpagini”, 82 pushkomitraloza të kalibrit 7.62X39, 70 pushkomitraloza të kalibrit 7.62X 54, pushkomitraloza “Broving” 35 copë, 53 mortaja dore të prodhimit kinez, 6 topa pa dridhje, një minahedhës i kalibrit 82 mm, 7 copa minahedhës të kalibrit 60 mm, granata për topin pa dridhje 62 copa, (jo i lexueshëm lloji i armatimit) 1 050 copa, 7 granata për minahedhës 60 mm dhe 82 mm, 196 granata për mortaja dore, 5 mina kundërtanke, eksploziv tritol 4 kg, 225 054 copë fishekë të kalibrit 7.62x39 dhe 7.32x54 dhe 392 karikatorë pushkësh automatike. Kjo është vetëm një pjesë e të bëmave të oficerëve të paguar nga Qeveria Bukoshi, që e dëmtuan seriozisht luftën çlirimtare në Kosovë. 

Nje kryeminister normal -Nga Imer Mushkolaj-

Kosovarët tek Edi Rama duhet të shohin një kryeministër të Shqipërisë, i cili duhet dhe po përpiqet të krijojë marrëdhënie korrekte me Kosovën, pa përdorur karta të shpifura nacionalizmi për të ngrohur zemra, për të ngrehur gjakra e për të nxehur koka.

Ai nuk bërtet si Sali Berisha. As nuk shet pseudopatriotizëm e folklorizëm. Duket të jetë realist në raport me Kosovën dhe kosovarët. Të paktën kështu u shfaq edhe para pak ditësh në Pejë, teksa në takim me biznesmenë kosovarë foli për bashkëpunim praktik e konkret ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. Ndërmjet dy shteteve të pavarura.
Edi Rama dërgoi mesazhe gatishmërie për të qenë ndryshe nga parardhësi i tij. Ai nuk shfaqi kurrfarë qëndrimesh paternaliste çfarë shpeshherë me arrogancë e patetizëm nuk ngurronte t’i deklaronte Sali Berisha.
Rama kërkoi të bëhet gjëja më e thjeshtë që do të duhej të kishte ndodhur shumë më herët – së pari të vendoset komunikimi i mirëfilltë në fushën e biznesit dhe fusha të tjera dhe pastaj të zhvillohet edhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Sa e lehtë, sa praktike.
Sot biznesmenë kosovarë bashkëpunojnë madje edhe me kolegë japonezë (është paralajmëruar hapja e një zyre ndërlidhëse me Tokion në Mitrovicë, që ka për qëllim thithjen e investimeve nga atje), por për çudi nuk ekziston asnjë forum biznesi i përbashkët Kosovë-Shqipëri, asnjë odë ekonomike, asnjë bashkëpunim i formalizuar. Madje gjatë qeverisjes së kaluar, sikur ishte ngritur një “mur kinez” për bizneset kosovare në Shqipëri.
Rama në Pejë foli për kthimin e besimit të ndërsjellë në bashkëpunim, kthimin e besimit për të investuar në dy të dy shtetet. Ai pati edhe një ofertë konkrete - për çdo investim prodhues dhënia e hapësirës në dispozicion për vetëm një euro në vit. Pati edhe premtim konkret - heqjen e tatimit të dyfishtë.
Por, në gjithë këtë muhabet dhe duke harruar për një moment ato që ai tha, më e rëndësishmja është se Edi Rama u shfaq një kryeministër normal. Një njeri normal.
Andaj, mbase shumë kosovarëve nuk ua ka përmbushur apetitet nacional-folklorike, ashtu si dikur Sali Berisha, frazat e thata të të cilit i ka marrë era, ashtu si dhe premtimet boshe për kosovarët.
Kosovarët tek Rama nuk e shohin dhe nuk duhet ta shohin një “baba”, udhëheqës të shtetit shqiptar, i cili në një ditë të bukur do t’i marrë të gjithë në gjirin e vet. Jo, jo. Ata tek Rama duhet të shohin një kryeministër të Shqipërisë, i cili duhet dhe po përpiqet të krijojë marrëdhënie korrekte me Kosovën, pa e përdorur kartën e shpifur të nacionalizmit për të ngrohur zemra, për të ngrehur gjakra e për të nxehur koka.
* * *
Nuk ka qenë vetëm Sali Berisha i tillë. Imitim i tij ishte edhe ambasadori i deridjeshëm i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.
A ju kujtohetsi sillej ai? Duke e huqur plotësisht misionin prej diplomati, ai shfaqej kudo dhe nuk përtonte të jepte leksione historie, me primesa paternalizmi e hegjemonia madje. Kur Berisha mungonte me deklaratat e tij, ishte Lauka ai që e polotësonte. Nuk përtonte të jepte verdikte se kush duhet t’i takojë kombit shqiptar, nuk përtonte t’i kritikonte të gjithë ata që nuk mendonin sipas kutit të tij. Harronte se ishte përfaqësues i një shteti, në një tjetër shtet të pavarur dhe detyra e tij nuk ishte të jepte leksione koti kudo që i jepej rasti, por të merrej pikërisht me çështjet që i takonin një diplomati – edhe me forcimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve.
Njësoj si Berisha, edhe Lauka kishte zgjedhur që kosovarët t’i dehte me fjalë, e jo të shohë mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Nuk mbahet mend të ketë ndërmarrë ndonjë niniciativë të dobishme për këtë qëllim, por mbahet mend të ketë qenë gjithqysh pjesë akademish e promovimesh gjithëfare, në të cilat iu jepte zjarr fjalimeve të menduara nga ai si nacionaliste. Fjalime që mund të ngrenë gjakra e nxehin koka në çast, por që harrohen shpejt. Aq shpejt, si premtimet e Berishës për kosovarët.
* * *
Sali Berisha nuk mund të jetë aspak model i mirë për Edi Ramën, në qasjen dhe politikën e shtetit shqiptar ndaj Kosovës. As Islam Lauka nuk mund të jetë model për ambasadorin e ri, Qemal Minxhozi.
Është koha e fundit që të vendosen jo raporte varësie e as paternalizimi, por raporte partneriteti e bashkëpunimi. Është e rëndësishme të fillojë një epokë e re në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Është e rëndësishme që bashkëpunimi të kalojë suazat e kurtuazisë e rrahjes së supeve të njëri-tjetrit. Është koha të krijohen raporte normale. Nga njerëz normalë

Tjeter padi per Gerdecin

Gjashtë vite pas tragjedisë së Gërdecit, familjarët e viktimave i drejtohen sërish gjykatës për dëmshpërblim.

Padia këtë herë është regjistruar në gjykatën e lartë, ku Uran Deliu së bashku me 5 paditës të tjerë kërkojnë nga Gjykata shpagimin e dëmit pasuror për humbjen e jetës së viktimave në shpërthimin e Gërdecit. 
Uran Deliu nga tragjedia e gërdecit ka humbur 6 pjesëtarë mes tyre djalin 4 vjeç, bashkëshorten dhe nënën e tij. Pala e paditur është Ministria e Mbrojtjes dhe Këshilli i Ministrave, ndërsa ende Gjykata nuk ka caktuar një relator apo datë gjykimi. Familjarët e Gërdecit kanë ngritur dhe më parë Padi ndaj ish-ministrit Mediu dhe qeverisë Berisha, por këto padi janë rrëzuar nga gjykata. 

Interes i madh i medias gjermane per viziten e Edi Rames ne Berlin.

Neser ,  Kancelarja e Qeverisë së Gjermanisë Angela Merkel do të takohet me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Berlin. Siç ka bërë të ditur Zyra për Media e Kancelares Merkel, Rama do të pritet me nderime ushtarake dhe të njejtën ditë, Kancelarja do të shtrojë një drekë pune për Kryeminstrin e Shqipërisë ku, siç është bërë e ditur nga shërbimi për media i Qeverisë gjermane do të diskutohen "tema rajonale si dhe gjendja aktuale rreth procesit të përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian".

Pas drekës Angela Merkel dhe Edi Rama do të mbajnë edhe një Konferencë të përbashkët për shtypin.

Përndryshe për dallim nga paaradhësi i tij Sali Berisha i cili për dy mandate sa ishte në pushtet nuk arriti të merrte një ftesë nga Angela Merkel Edi Ramës iu bë ky privilegj nga Qeveria gjermane brenda vetëm disa muajsh prejse udhëheq shtetin shqiptar. Në Berlin kjo shihet si një vëmendje e posaçme e Kancelares e cila shpreson që me Ramën në krye të Qeverisë marrëdhëniet mes Berlinit dhe Tiranës do kenë më tepër fryte sesa me Qeveritë e udhëhequra më herët nga Sali Berisha.

E fatin e keq të Sali Berishës e ka edhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Pos një takimi para dy vitesh që Merkel pati me të në Aeroportin e Prishtinës kur kjo e fundit vizitoi ushtarët gjermanë të KFOR-it, Kancelarja e Gjermanisë nuk e ka ftuar as pritur Hashim Thaçin asnjëherë qe shtatë vite prejse ky udhëheqë me Qeveritë e Kosovës. Siç ka mësuar Gazeta Blic, përkundër përpjekjeve që kanë bërë tash disa kohë Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, një mysafir ky jo edhe i rrallë i Berlinit bashkë me Ministren Vlora Çitakun e cila pokështu ka lidhje të mira me Berlinin, zyrtarët e Qeverisë gjermane dhe Kancelarja gjermane nuk kanë pranuar ta ftojnë Thaçin në Berlin. 

Edhe Menduh Thaçi me antiplumb , si Saliu!

Menduh Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, është vërejtur se në tubimet zgjedhore të cilat po I realizon kohëve të fundit me qytetarët, është duke mbajtur jelek anti plumb.

Ky jelek në trupin e Thaçit, vërrehet edhe në videot e publikuara në internet, por edhe në fotografinë që kemi sjellur më tej në këtë tekst.
Nuk ka indikacione të qarta se nga kush ka aq kujdes Thaçi dhe sa është e nevojshme që në evenimente të tilla promovuese para simpatizerëve të vet, të mbahen mjete të tilla mbrojtëse.

Serbet "rrethojne" Thaçin ne Bruksel

Me qëllim të diskutimit për implementimin e marrëveshjes së 19 Prillit, dy kryeministrat, ai i Kosovës dhe i Serbisë, do të takohen sot në Bruksel me ndërmjetësimin e Catherine Ashton.
Takimi i sotëm në Bruksel që do të ketë për temë gjyqësorin dhe krijimin e Bashkësisë së komunave serbe, është takimi i 23-të, që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Takimi mbahet me ftesë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton ndërsa në dialog do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri në largim i Serbisë, Ivica Daçic, dhe kryeministri i zgjedhur i Serbisë, Aleksandar Vuçic.