Tuesday, May 14, 2013

Si mund të votojnë votuesit e “importuar”



Alarmi me listat e zgjedhësve duket se përbën një aspekt dramatik të zgjedhjeve të 23 qershorit. Kemi deri tani dy qëndrime diametralisht të kundërta nga palët që administrojnë zgjedhjet: pra qeveria, e cila harton listat dhe opozita që monitoron regjistrin kombëtar. Zv.Ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni deklaron se gjithçka është në rregull ndërsa një nga krerët e opozitës për çështjet zgjedhore, Bledar Çuci thotë të kundërtën.
Poni
Zv.ministri Poni, deklaroi se “Lista përfundimtare e zgjedhësve e datës 13.05.2013 është gjeneruar pranë çdo njësie të qeverisjes vendore për printim. Lista e zgjedhësve përfundimtare përmban 3,270,936 zgjedhës. Pra 3,270,936 zgjedhës janë afishuar qartë pranë 5,506 qendrave të votimit në çdo njësi të qeverisjes vendore. Në listën përfundimtare të zgjedhësve nuk ka asnjë qendër votimi, përveç atyre të lejuara me ligj, që të jenë jashtë kufijve numerikë. Për sa u përket dublimeve: -Më datë 12.12.2012, janë dërguar në zyrat e gjendjes civile për kontroll 7,674 rekorde të dyshuara si të dubluara. Pas gjenerimit të Listës Përfundimtare më 13 maj, u bënë kontrollet për dublimet dhe rezultuan në fund të procedurave 1,139 rekorde të personave të dyshuar si të dubluar. Për 6,535 rekorde kemi marrë përgjigje nga zyrat e gjendjes civile, që nuk janë dublime ose janë pastruar: -3,101 janë raportuar si persona të ndryshëm (binjakë); – 2,253 janë pastruar si dublime; -293 rekorde të bllokuar (me dokumente false); -888 rekorde kanë aplikuar për kartë; -750 zgjedhës nuk janë përfshirë në lista për shkak të moshës mbi 100 vjeç në datën e votimit dhe nuk janë paraqitur pranë zyrave të gjendjeve civile”.
Çuci
Ndërsa, përfaqësuesi i opozitës, Bledar Cuci, deklaroi se “Ministria e Brendshme nuk arriti t’i pastrojë plotësisht këto dublime, madje as nuk pranonte që ato ekzistonin, pavarësisht se u përfshi në një proces pastrimi. Si përfundim, në listën e zgjedhësve të majit mbeten ende 25 874 shtetas të dyshuar si të dubluar. Problemi i dytë me listat ka të bëjë me zgjedhësit të cilëve u mungon adresa e plotë zgjedhore. Pajisja e të gjithë zgjedhësve me adresë zgjedhore ka qenë rekomandim i drejtpërdrejtë i OSBE/ODIHR për MB, në të dyja zgjedhjet, 2009 dhe 2011. Megjithatë, në gjithë këto vite MB nuk ka bërë asgjë për të plotësuar këtë rekomandim të rëndësishëm dhe, ende në listën e zgjedhësve te majit janë 352 337 zgjedhë pa adresë zgjedhore”.
Rreziku
Po ku ekziston rreziku me listat? Skemë e njohur edhe në zgjedhjet e tjera, siç ka dalë nga hetimet për rastin “Ruzhdie”. Votues që janë në listë dhe nuk janë prezent mund të “votojnë” me anë të personave të tjerë që shkojnë në Qendrat e Votimit me dokument identifikimi të falsifikuar. Në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011, pati një regjistrim të madh në 3 minibashki të kryeqytetit, përkatësisht njësinë 10, 11 dhe 8. U përfol se qytetarë nga Kosova por edhe nga qarqe të tjera të vendit kanë mbërritur për të votuar në kryeqytet. Madje më vonë disa hetime policore arritën të gjenin persona me karta identiteti të falsifikuara. Të tilla i ka bërë publikisht edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, në Parlament.

No comments:

Post a Comment